Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit largoi ndikimi rus nga rajoni
andidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të shtunën gjatë tubimit elektoral në Han të Elezit, se më 14 shkurt qytetarët e Kosovës e kanë vetëm një alternativë për ruajtjen e shtetit të Kosovës, e kjo alternativë është LDK me numrin 132.
“Jam i sigurt se kemi me e marrë besimin e qytetarëve më 14 shkurt. Duhet të përgatitemi shpejt për të formuar institucionet e ardhshme, institucione këto që do ta zhvillojnë ekonominë, do ta zbatojnë marrëveshjen e Uashingtonit, do t’i sigurojnë Kosovës njohje të reja, do të sigurojnë liberalizimin e vizave dhe do ta përmbyllin marrëveshjen me Serbinë. Jam i bindur se LDK ka me e pas privilegjin për t’i përmbyllur këto çështje gjatë vitit 2021. Ne nuk jemi njerëz që lëshojmë parulla por njerëz të dëshmuar që punojnë në shërbim të Kosovës”, tha Hoti.
Ai foli edhe për të arriturat që janë shënuar gjatë kohës sa ishte në krye të qeverisë.
“E kemi menaxhuar mirë pandeminë dhe presim që vaksina kundër Covid 19 të arrijnë këtë muaj. Në ekonomi kemi ndërmarrë hapa që i kanë dhënë fund krizës. Nuk ka familje as biznes që nuk është ndihmuar, janë dyfishuar subvencionet si janë dyfishuar të ardhurat për përfituesit e ndihmës sociale. Vetëm nga Trusti qytetarëve ju kemi mundësuar tërheqjen e 200 milionë eurove, ndërsa deri tani që po flasim 700 milionë euro kanë hyrë në ekonomi”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.
Përveç këtyre sfidave, Hoti, tha se sfida kryesore gjatë qeverisjes së tij, ishin raportet e dëmtuara me partnerët e Kosovës në SHBA dhe BE.
“ Falë qeverisjes së LDK-së, për pak muaj i rregulluam raportet me aleatët. Shkuam në Shtëpinë e Bardhë për një marrëveshje që ka ndikim në krejt rajonin, duke e ndalur ndikimin rus në këtë pjesë. Kosovarët kanë me ja pa hajrin kësaj marrëveshjeje viteve në vazhdim, sepse do të ndërtohet hekurudha drejt Durrësit, Kosova do të përfshihet në gazsjellësin që kalon përmes Maqedonisë, do të vijnë 1 miliard dollar investime”, tha Hoti.
Kandidati i LDK-së, tha se me marrjen e qeverisjes për mandatin 4 vjeçar, për fabrikën e çimentos në Han të Elezit, do të punohet me partnerët ndërkombëtarë që ajo të respektojë standardet për ambientin. Projekt tjetër me rëndësi për këtë pjesë ai përmendi edhe ndërtimin e rrugës në drejtim të Tetovës./Telegrafi