Hoti: Marrëveshja me LV-në arrihet në ditët në vijim
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë me dije se marrëveshja finale me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje do të ndodhë në ditën në vijim dhe se nuk ka asnjë arsye për të dështuar.
“Unë pres që të përmbyllen bisedimet edhe mandej të dy liderët të prononcohen në detaje. Besoj se kemi qenë mjaftë transparentë deri më tani për mënyrën e zhvillimit të bisedave për marrëveshjen e koalicionit, dhe besoj që është një standardë i ri. Tash jemi në fazën kur jemi duke negociuar për ndarjen e përgjegjësive. Nuk mund të them asgjë më tepër se kaq deri sa nuk përmbyllen të gjitha çështjet”, thotë ai.
“Dy takime kanë ndodhur në nivel të liderëve, besoj që në takimin e tretë, katërt për disa ditë mund të përafrohen këto qëndrime. Pra, nuk ka asgjë të panatyrshme, po zhvillohen negociata, janë zhvilluar negociata për program për tri javë rresht në tri javë rresht në gjashtë takime të grupeve punuese të dy partive. Tash diskutimet kanë kaluar në nivel të liderëve politikë pasi janë dakorduar për të gjitha çështjet programore dhe tash duhet të darkodohemi si t’i ndajmë përgjegjësitë brenda institucioneve. Pritjet janë pozitive. Unë pres që të përmbyllet kjo çështje sa më parë”, ka thënë Hoti në një intervistë për “EO”