Hoti: Marrëveshja që kemi arritur do të krijojë mijëra vende të reja pune
Kryeministri Avdullah Hoti ka folur për vizitën e delegacionit të lartë amerikanë në Kosovë.
“Bashkë me anëtarë të kabinetit, gjatë ditës së sotme kemi pritur në takim një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili përbëhej nga i dërguari special i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell, kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në ShBA, (DFC) Adam Boehler, përfaqësues të USAID-it, kryetari i Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në ShBA”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka treguar se e ka njoftuar delegacionin amerikan për prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe angazhimin për rimëkëmbje ekonomike.
“Po ashtu kam falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, si dhe në projektet konkrete për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.
“Kjo marrëveshje që kemi arritur do të krijojë mijëra vende të reja pune, do ta shndërrojë Kosovën dhe regjionin në regjion më të integruar në aspektin e infrastrukturës dhe të zhvillimit ekonomik”, ka theksuar Hoti.
“Ne jemi angazhuar komplet si qeveri, i kemi bërë përgatitjet e nevojshme dhe tash presim që në javët e ardhshme, konkretisht ministrat përkatës në qeveri, bashkë me pjesën e Administratës së ShBA-ve, të lëvizin konkretisht në zbatimin e marrëveshjes”, ka pohuar kryeministri Hoti.
(Q.R / Epoka e re)