Hoti: Mazhoranca mashtron lidhur me funksionimin e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se mazhoranca është duke mashtruar lidhur me funksionimin e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës.
“Si mund të jetë kjo legjislaturë më e suksesshmja kur gjatë gjithë mandatit është cenuar demokracia parlamentare nga ana e mazhorancës?! Edhe kur është hedhur gaz lotsjellës, Kuvendi ka qenë më transparent e më efikas dhe ka marrë vendime kushtetuese e ligjore. Ky degradim i punës së Kuvendit është cenim i demokracisë me pasoja të gjera për gjithë aparatin shtetëror dhe shtyllat e pushtetit”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ai ka paraqitur disa fakte që dëshmojnë cenimin e demokracisë parlamentare gjatë kësaj legjislature, të konfirmuara nga organizata që e përcjellin punën e Kuvendit.
“1. Mbi 10 ligje e vendime janë shpallur antikushtetuese; 2. Mazhoranca e ka keqpërdorur mekanizmin e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e pikave të rregullta të rendit të ditës, duke pamundësuar debatin dhe konsultimet publike; 3. Ka pasur tri raste kur Kuvendi ka zhvilluar punimet pa e miratuar rendin e ditës; 4. Shumica parlamentare e ka pamundësuar funksionimin e Komisionit Hetimor lidhur me rezervat shtetërore; 5. Çdo sesion i Kuvendit është mbyllur me dhjetëra pika të papërfunduara; 6. Ka pasur mungesë të thellë të transparencës duke mos i publikuar materialet nga seancat dhe komisionet hetimore; 7. Nuk është funksionalizuar votimi elektronik, duke pamundësuar përcjelljen e votimit të deputetëve; 8. Qeveria ka injoruar Kuvendin te pyetjet parlamentare, te komisionet hetimore dhe te debatet parlamentare për të dhënë përgjegjësi për punën e vet dhe për programin qeverisës;
9. Ka pasur mungesë kronike të kuorumit që në shumicën e rasteve është shkaktuar nga deputetët e mazhornacës; 10. Mazhoranca nuk ka bashkëpunuar me opozitën as në miratimin e ligjit për buxhetin, e lëre më në ligjet e tjera”, ka shkruar Hoti.