Hoti: Mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike nga qeveria e re

14 maj 2020 | 13:44

I dekretuari për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë me dije se mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike nga qeveria e re.

“Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të futen në ekonomi sivjet, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë. Ndërkaq, në vitet në vijim do të mbështeten investimet private dhe publike që krijojnë vende pune në prodhim, bujqësi, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Hoti ka thënë se në zbatimin e masave të kësaj pakoje do të përfshihen odat ekonomike, bankat, shoqatat e profesionistëve, institucionet akademike, komunat, investitorë nga diaspora  dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështesin zhvillimin e Kosovës.

“Legjislacioni i nevojshëm për zbatimin e kësaj pakoje do të procedohet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë së Re. Kjo pako është pjesë e programit të Qeverisë së re, që është duke u harmonizuar me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës”, ka shkruar Hoti. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shpërthim i komanduar rrëzoi të enjten në mënyrë spektakolare…