Hoti mbledh në mëngjes qeverinë, para takimit me Grenellin
20 shtator 2020
| 21:06
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, do të mbledhë nesër në takim ministrat e kabinetit të tij qeveritar.
Zyra e Kryeministrisë nuk ka dhënë detaje mbi temat që pritet të diskutohen në këtë mbledhje, e cila fillon nga ora 8.30.
Mbledhja e Qeverisë përkon me vizitën në Kosovë të emisarit të presidentit Donald Trump për dialogun Richard Grenell si pjesë e një delegacioni shtetëror amerikan, i cili do të vizitojë edhe Serbinë, Greqinë dhe Izraelin, pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim ekonomik.
Kryeministri Avdullah Hoti ka konfirmuar takimin me delegacionin e Qeverisë amerikane, por ka thënë se më shumë detaje do t’i bëjë të ditur gjatë ditës së nesërme.