Hoti: Mbrojtja e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ është përgjegjësi e të gjitha institucioneve
Sot në Republikën e Kosovës shënohet “Java e krenarisë”, me qëllim të mbështetjes dhe garantimit të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ në vend dhe kudo në botë.
Me këtë rast, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, me një përkrahje të madhe të partnerëve ndërkombëtarë, ka treguar një rritje të vazhdueshme të veprimtarive që kanë avancuar të drejtat e qytetarëve të këtij komuniteti.
“Si rrjedhojë, sot në vendin tonë në të gjitha ndërtesat qeveritare janë vendosur flamuj shumëngjyrësh, simbolikë kjo e mbështetjes institucionale dhe respektimit të universalitetit të të drejtave të njeriut dhe parimit themelor të barazisë dhe mos diskriminimit. Në këtë kontekst, Republika e Kosovës ka konsoliduar kornizën ligjore me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, i cili siguron promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha grupeve të margjinalizuara në shoqëri, duke përfshirë edhe komunitetin LGBTIQ+. Pra, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave të komunitetit LGBTIQ+ është një përgjegjësi integrale e të gjitha institucioneve në vend”.
“Grupi Qeveritar Koordinues dhe Këshillëdhënës, si një nga mekanizmat më të larta institucionale i udhëhequr nga Zyra e Kryeministrit / Zyra për Qeverisje të Mirë, në vazhdimësi ka pasur dhe do të ketë mbështetjen time për nismat dhe veprimet të cilat qojnë drejt përmbushjes së nevojave dhe të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ konform të drejtave kushtetuese, ligjore dhe standardeve evropiane për të drejtat e njeriut”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
https://www.facebook.com/avdullah.hoti/photos/a.538814562846569/3733908616670465/