Hoti: Me këtë qeveri nuk ngritën kapacitet e FSK-së në ushtri të rregullt
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se me këtë qeveri nuk ngritën kapacitet e FSK-së në ushtri të rregullt sipas standardeve të NATO-s. Ja faktet.
Sipas tij, shpenzimet për mbrojtje si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) janë dukshëm nën nivelin e kërkuar nga NATO-ja prej 2%.
“Këto shpenzimet në vitin 2022 ishin 1.53%, ndërkaq më 2023 u ulën në 1.25%. Problemi është se, sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2024-2026, të cilën Qeveria e ka dorëzuar në Kuvend, trendi i shpenzimeve për mbrojtje si përqindje e PBB-së është rënës: • 1.43% më 2024, • 1.35% më 2025, • 1.27% më 2026”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ai ka theksuar se për më tepër, në kapacitetet e FSK-së do të ndikojë edhe përjashtimi nga ushtrimi më i madh i NATO-s, për të cilin presidentja, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes nuk morën asnjë përgjegjësi.
“Tani edhe financimi nuk po shkon në drejtim të përmbushjes së standardit të kërkuar nga NATO-ja prej 2%. Këta nuk janë për këtë punë. Këta nuk kanë rezon shtetëror. Këta janë të fokusuar vetëm në mashtrimin e opinionit. Ja fakti: e nxjerrin FSK-në në marshim në Mitrovicë, e në anën tjetër shpenzimet për mbrojtje i zvogëlojnë”, ka theksuar Hoti.