
Hoti me kritika të ashpra për qeverinë: E zëvendësuan Uashingtonin dhe Brukselin me Ohrin dhe Bratisllavën
Emisari special i Bashkimit Evropian (BE) në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, është takuar të hënën në Bratisllavë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Lajçaku ka thënë se kanë rënë dakord për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri, por nuk ka dhënë shumë detaje. Lidhur me këtë ka reaguar ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Hoti ka thënë se askush nuk është duke e ditur se për çfarë janë marrë vesh.
Me këtë rast, Hoti ka kritikuar qeverinë për raportet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
“Duke mos përfillur këshillat e aleatëve, bien në kurthin e Vuçiqit që për qëllim ka tensionimin e situatës në veri. Kryetarët e zgjedhur me 2 për qind i fusin në zyrë me polici dhe i mbajnë të ngujuar. Nuk i përfillin kërkesat e aleatëve kur u vijnë për vizitë në Prishtinë dhe u kërkojnë zgjedhje të reja në ato komuna pa kushte nga asnjëra palë. Shkojnë në Bratisllavë e merren vesh për shtensionim të situatës, por askush nuk di gjë se çfarë janë marrë vesh. Uashingtonin e Brukselin i kanë zëvendësuar me Ohrin e Bratisllavën. Kjo është politikë se jo mahi”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.