Hoti: Me miratimin e buxhetit janë bërë dy shkelje, presidentja do duhej t’ia kthente Kuvendit këtë ligj
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës ka bërë dy shkelje ligjore kur ka miratuar Ligjin për buxhetin e vitit 2025.
Sipas tij, përveç shkeljeve nuk janë adresuar as nevojat kryesore si dhe nuk janë trajtuar kërkesat buxhetore.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se presidentja Vjosa Osmani do të duhej ta kthente në Kuvend këtë ligj për shqyrtim të tretë.
“Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin e buxhetit për 2025: (1) me dy shkelje ligjore, (2) pa i adresuar nevojat kryesore dhe (3) pa i trajtuar dhjetëra kërkesa buxhetore. Sikur të funksiononte si duhet rendi kushtetues, Zyra e Presidencës do t’ia kthente Kuvendit këtë ligj për shqyrtim të tretë. 1. Shkeljet ligjore lidhen me nenin 33, i cili e ndryshon ligjin e pagave duke e shtrembëruar strukturën hierarkike të pagave, si dhe me nenin 35 me të cilin ndryshohet ligji i tatimit në pronë. Të dyja këto raste mund të adresohen vetëm duke ndryshuar ligjet përkatëse. 2. Mosadresimi i nevojave kryesore buxhetore lidhet me buxhetimin e pamjaftueshëm të: (i) pagave, pensioneve dhe skemave sociale për shkak të inflacionit; (ii) projekteve kapitale që kanë mbetur në gjysmë për katër vite; (iii) skemës së sigurimeve shëndetësore, arsimit dhe shëndetësisë në përgjithësi; (iv) kontratës kolektive, për të cilën komunat po paguajnë përmes vendimeve përmbarimore; (v) ushtrisë për të përmbushur planin e avancimit të dakorduar me aleatët, etj. 3. Në Komisionin për Buxhet kanë arritur dhjetëra kërkesa të organizatave buxhetore qendrore e lokale dhe nga deputetët”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Hoti ka thënë se përveç disa kërkesave të deputetëve të komuniteteve, të cilat janë miratuar “pasi duket se ata deputetë e kanë kushtëzuar votën e tyre me miratimin e kërkesave të tyre, asnjë kërkesë tjetër nuk është miratuar”.
“Mosmiratimi në veçanti i kërkesave të institucioneve të pavarura kushtetuese bie ndesh me parimin e pavarësisë kushtetuese të atyre institucioneve. Kurrë në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës nuk ka ndodhur të miratohet kështu buxheti pa asnjë konsideratë ndaj deputetëve dhe organizatave buxhetore”, ka thënë Hoti.