Hoti merr premtime për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të kulturës
Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Rexhep Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, me ftesë të Ministrisë së Jashtme, në margjinat e Panairit të Librit në Lajpzig ka zhvilluar disa takime.
Fillimisht Hoti është takuar me ministren e Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, pastaj me Aleksandër Bogdanoviq, ministër i Kulturës i Republikës së Malit të Zi.
Po ashtu, Hoti është takuar me Gerhard Kowar, drejtor i Austria KulturKontakt, qendër që merret me edukimin kulturor për shkollat e Austrisë dhe bashkëpunim edukativ me vendet e Evropës Lindore dhe asaj Juglindore.
Sipas njoftimit të MKRS-së, temë bosht e diskutimeve në këto takime ishte politika e librit që institucionet hartojnë dhe zbatojnë, duke përfshirë edhe përkrahjen e botimit e librit, të blerjes dhe shpërndarjes së tij si dhe të përkthimit të tij në gjuhë tjera.
Hoti ka kërkuar përkrahjen e të gjitha palëve që Kosova të anëtarësohet në rrjetin Traduki, ku Shqipëria, Mali i Zi e Austria janë anëtare.
Ai ka marrë përkrahjen për anëtarësim, me përjashtim të Serbisë.
Hoti ka informuar angazhimin e Kosovës dhe përgatitjet që po bëjnë institucionet e saj për t’u anëtarësuar në UNESCO, me ç’rast ai ka kërkuar që partnerët dhe aleatët e Kosovës të lobojnë në çdo sferë ndikimi që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë jashtëzakonisht të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara.
Zëvendësministri Hoti ka marrë premtimin se palët do të angazhohen për ta ndihmuar Kosovën në këtë rrugë.
Në emër të MKRS-së dhe Qeverisë, Hoti ka falënderuar përfaqësuesit e shteteve me të cilët është takuar për përkrahjen dhe bashkëpunimin që kanë treguar në raport me Republikën e Kosovës jo vetëm në fushën e kulturës por edhe në prizmat tjerë duke ndikuar kësisoj drejtpërdrejt në forcimin e shtetit të Kosovës, thuhet në njoftim.