Hoti, ministrit Pecit: Efektet e punës i ke zero
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka reaguar ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për të cilin tha se pas thirrjes për rritje të subvencioneve në bujqësi, i njëjti “kishte shkruar një pamflet me plot tallje e cinizëm”.
Sipas Hotit, faktet tregojnë se efektet e punës së ministrit Peci janë zero, teksa shtoi se sipas të dhënave të Doganës së Kosovës gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2022, ka pasur rritje të importit të grurit, mishit, e qumështit.
Postimi i plotë i tij:
RRITJA ENORME E IMPORTIT TË PRODUKTEVE BUJQËSORE GJATË VITIT 2022 – SHENJË SE PRODHIMI VENDOR KA RËNË
Që nga fundi i vitit 2021 e kam theksuar disa herë, se nëse nuk rritet menjëherë mbështetja për bujqit, rritja e konsiderueshme e çmimit të inputeve bujqësore (farëra, plehra, pesticide dhe ushqim të kafshëve) do të dëmtojë prodhimin vendor. Dje e kam përsëritur këtë shqetësim pasi çmimet e këtyre inputeve bujqësore po vazhdojnë të rriten.
Ministri i Bujqësisë, në vend se të sqaroj se çfarë po bën për të zbutur krizën për bujqit, kishte shkruar një pamflet me plot tallje e cinizëm. Faktet tregojnë se efektet e punës së tij janë zero.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2022 krahasuar me vitin 2021:
1. Importi i llojeve të ndryshme të grurit është rritur me 63% (2021 – 22.7 mil euro, 2022 – 36.9 mil euro).
2. Importi i llojeve të ndryshme të mishit është rritur me 51% (2021 – 82.5 mil euro, 2022 – 124.5 mil euro).
3. Importi i gjedheve për therje është rritur me 42% (2021 – 45.2 mil euro, 2022 – 64.2 mil euro).
4. Importi i qumështit dhe produkteve të qumështit është rritur me 32% (2021 – 56.8 mil euro, 2022 – 75.2 mil euro).
Kjo rritje është tepër e madhe pavarësisht rritjes së inflacionit. Nuk ka gjasa që në Kosovë më 2022 të jetë rritur kaq shumë konsumi i qumështit, grurit apo mishit. Kështu që, këto shifra tregojnë se ka rënë prodhimi vendor, dhe se konsumi është plotësuar nga rritja e importit.
Le t’ia sqaroj dikush Ministrit të nderuar këto të dhëna. Në ditët e ardhshme do të publikohen edhe të dhëna të tjera për të demaskuar mashtrimin dhe dështimin e kësaj qeverisje.