Hoti mohon se Mustafa do ta emërojë ndonjë ushtrues detyre për kryetar të LDK-së
Gjatë ditës së djeshme u raportua që Isa Mustafa do ta emërojë njërin nga zyrtarët e lartë të LDK-së si ushtrues detyre për kryetar. Kjo deri në kohën kur kryetari aktual të kthehet nga Gjermania ku po qëndron për shkaqe shëndetësore.
Madje raportohej se ky vendim i Mustafës kishte shkaktuar “trazira” te kandidatët potencial që synonin postin e të parit të partisë.
Por lajmet e tilla i ka demantuar shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Hoti ka thënë për lajmi.net se këto lajme janë spekulime.
Ai ka bërë të ditur se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pritet që së shpejti t’i kthehet aktiviteteve politike, pasi nuk ka asgjë për tu shqetësuar.
“Janë spekulime. Shëndeti i Kryetarit Mustafa po përmirësohet. Ai së shpejti do të kthehet tek familja dhe në aktivitetet politike. Nuk ka asgjë shqetësuese”, ka deklaruar Hoti.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së tutje ka mohuar se në këtë parti do të ketë zgjedhje të brendshme para kohe.
Ai ka deklaruar se zgjedhjet do t’i mbajnë sipas afatit që është i përcaktuar me statut.
“Zgjedhjet në LDK mbahen në afatin e rregullt statutar”, ka thënë Avdullah Hoti.
Në bazë të kësaj deklarate i bie që zgjedhjet e brendshme në LDK të mbahen vitin e ardhshëm.
Kjo pasi Isa Mustafa për herë të dytë si kryetar i LDK-së ishte zgjedhur në vitin 2015.
E zgjedhjet në këtë parti mbahen çdo 4 vite.
Ndryshe emrat e përmendur që synojnë të parin e LDK-së janë Lutfi Haziri, Agim Veliu, Avdullah Hoti e Vjosa Osmani.