Hoti mohon se PDK-ja do të bëhet pjesë e Qeverisë
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është pyetur se a do të bëhet Partia Demokratike e Kosovës pjesë e qeverisë nëse presidentit, Hashim Thaçi, i vërtetohet aktakuza dhe duhet të shkojë në Hagë.
Hoti ka deklaruar se nuk u përgjigjet asnjëherë pyetjeve që kanë një “nëse” brenda, sepse është hipotetike pastaj.
“Ju e dini qasjen time se si i trajtoj këto gjëra. Nuk përgjigjem në pyetje hipotetike”, deklaroi Hoti, derisa ishte në konferencë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në vizitën e tij të parë si kryeministër i Kosovës.
Hoti shtoi se “qeveria është stabile” dhe se për momentin “Presidenti është me mandat të plotë”.
Por, megjithatë Hoti nuk e ka mohuar kategorikisht se në të ardhmen mund të ketë ndryshime brenda përbërjes së qeverisë.