Hoti: Mospranimi i Kosovës në Interpol, dështim për sigurinë në Ballkan
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se mosanëtarësimi në Interpol është zhgënjim për Kosovën dhe dështim për sigurinë në Ballkan.
Ai ka thënë se për këtë dështim faj të madh ka edhe diplomacia agresive e Serbisë e rreshtuar kundër vlerave që ngiten mbi gjeopolitikat euroatlantike në rajon.
Pavarësisht kësaj Hoti ka bërë me dije se Kosova nuk do të ndalet derisa të jetë pjesë e Interpolit dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare.
“Nuk do të ndalemi derisa të jemi pjesë e Interpolit dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare. Ky është zhgënjim për Kosovën, por edhe dështim për sigurinë në Ballkan. Faj të madh ka edhe diplomacia agresive e Serbisë e rreshtuar kundër vlerave që ngiten mbi gjeopolitikat euroatlantike në rajon. Të nxjerrim mësim nga ky refuzim sot. Duhet të vazhdojmë të jemi unik në atë që aspirojmë, për t’i bindur të gjithë se jemi konsekuent në ndërtimin e shtetit të Kosovës, sigurisë dhe prosperitetit për të gjithë pa dallime”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/