Hoti: Na duhet shumë kohë dhe energji për ta kthyer besimin e qytetarëve
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka shfaqur edhe një herë kritikën e tij për idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufirit me Serbinë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ky angazhim i presidentit ka shtuar hezitimin ndaj institucioneve të Republikë së Kosovës nga ana e disa komuniteteve.
“Insistimi antikushtetues i presidentit aktual për korrigjimin e kufirit i ka dëmtuar përpjekjet tona për dy dekada për të ndërtuar një shtet ku qytetarët e të gjitha komuniteteve ndihen të sigurt për të ardhmen e tyre. Ky angazhim i presidentit ka shtuar hezitimin ndaj institucioneve të Republikë së Kosovës nga ana e disa komuniteteve. Do të na duhet shumë kohë dhe energji për ta kthyer besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës se nuk ka ndryshim të kufirit, nuk ka ndarje të Kosovës, dhe se ardhmja e tyre është e sigurt në Kosovë”, ka shkruar Hoti.
/Epoka e re/