Hoti në Bruksel: Idetë për korrigjimin e kufijve, të rrezikshme për paqen
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka marrë pjesë në konferencën e nivelit të lartë të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian në Bruksel, e cila ka për synim të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian (BE).
Gjatë kësaj konference, Hoti në panelin me temën “Rritja e bashkëpunimit ndërkufitar dhe trajtimi i çështjeve të sigurisë”, ka shprehur qëndrimin e LDK-së në raport me zhvillimet në Kosovë dhe perspektiven evropiane të vendit tonë.
Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës për shkak të koalicionit të dobët e ka humbur shumicën në Kuvend, dhe për këtë arsye ka humbur edhe legjitimitetin për të përfaqësuar popullin e Kosovës.
“Kjo krizë institucionale dhe politike është thelluar veçanërisht që nga prilli i vitit 2018, kur një nga partitë e koalicionit, që përfaqëson bashkësinë serbe, ‘ngriu’ pozicionin e saj brenda Qeverisë. Megjithatë, sipas Kushtetutës së Kosovës, përfaqësuesit e komunitetit serb kanë vendet e tyre të garantuara”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se si rezultat i kësaj krize, çështjet që janë me interes kombëtar nuk mund të adresohen. “Për të dalë nga kjo situatë, zgjedhje të reja janë të nevojshme dhe të pashmangshme dhe se LDK si partia më e madhe jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi për të kapërcyer këtë krizë institucionale”, ka shkruar ai.
Hoti ka thënë se është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës që partitë politike të arrijnë konsensus lidhur me agjendën evropiane dhe përgatitjet për zgjedhje të reja dhe të lira.
Më tutje, ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se LDK-ja e mbështet plotësisht dialogun me Serbinë, edhe pse është një proces shumë kompleks dhe se shumica e marrëveshjeve të arritura deri tani nuk janë zbatuar.
“Çdo ide e shkëmbimit territorial ose korrigjimit të kufijve nuk do të gjejë asnjë mbështetje dhe për këtë arsye nuk duhet të jetë pjesë e dialogut. Të gjitha partitë në Kosovë, duke përfshirë partitë e koalicionit, janë kundër kësaj ideje. LDK beson fuqimisht se vizatimi i kufijve bazuar në baza etnike është krejtësisht i gabuar dhe do të ketë pasoja përtej Ballkanit”.
“Idetë që përfshijnë ndryshimin e territorit dhe korrigjimet kufitare janë të rrezikshme për paqen në rajon dhe më gjerë dhe ato nuk duhet të merren parasysh sepse ide të tilla kanë shkaktuar më parë konflikte në rajon me pasoja tragjike”, ka shkruar Hoti .
Ai ka thënë se LDK-ja është gati të bëhet pjesë e dialogut dhe të udhëheqë këtë proces së bashku me forcat e tjera politike në Kosovë, por sipas tij se pari duhet të mbahen zgjedhjet e reja.
Ndërsa sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Hoti ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe detyrimet e saja. “Nuk ka rrezik që qytetarët tanë të emigrojnë në BE në një mënyrë të pakontrolluar”, ka shkruar Hoti.
/Epoka e re/