Hoti: Në javët e ardhshme gjendet zgjidhja për rrugën afër Manastirit
Kryeministri Avdullah Hoti ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” për vizitën e tij në Komunën e Deçanit dhe vizitën në Manastir.
“Sot vizitova komunën e Deçanit, ku u takova me kryetarin, Bashkim Ramosaj, dhe Manastirin e Deçanit, ku u pritëm nga ati Sava Janjiq”, ka shkruar Hoti.
Ai ka treguar se kanë diskutuar për çështje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Deçanit dhe në veçanti për çështjen e rrugës së Manastirit.
“Ne kemi kulturë institucionale, edhe si komunë, edhe si qeveri për të respektuar ligjet që janë nxjerrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për të respektuar vendimet që i nxjerrin institucionet tona vendore. Biseduam që në javët e ardhshme të gjejnë një zgjidhje që është e pranueshme për të gjithë duke e mbrojtur kështu interesat e qytetarëve, por edhe interesat e Manastirit të Deçanit si një vend i veçantë i trashëgimisë sonë kulturore e botërore”, ka shkruar Hoti.
(M.Q / Epoka e re)