Hoti: Në mungesë të projekteve zhvillimore, Kurti merret me qese plastike
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka adresuar kritika të ashpra në adresë të qeverisë Kurti sa i përket zhvillimit ekonomik.
Hoti ka kritikuar kryeministrin Albin Kurtin për mungesë të projekteve në arsim, shëndetësi, energjetikë e bujqësi derisa promovon shpërndarjen e qeseve plastike nëpër dyqane.
Përveç kësaj, ai ka deklaruar se subvencionet dhe transferet nga 32 për qind të buxhetit tashmë po marrin 42 të buxhetit total.
“Tri vjet qeverisje pa asnjë orientim zhvillimor, me normë të zhvillimit ekonomik që gati ka rënë nën zero”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ai ka përfunduar se një mënyrë e tillë e qeverisjes nuk do të sjell zhvillim për vendin.
Është fundi i vitit 2023, që është viti i tretë i qeverisjes majtiste LV-Guxo. Është koha kur do të duhej të promovoheshin projektet e kryera gjatë tri viteve në rrugë, në arsim e shëndetësi, në energjetikë e në ujitje të tokave bujqësore.
E kur mungojnë këto projekte, atëherë vetë kryeministri promovon shpërndarjen e qeseve plastike nëpër dyqane, sado e rëndësishme që është kjo për ambientin, por nuk është esencial në aspektin ekonomik dhe jetën e rënduar të qytetarëve”, ka shkruar Hoti.