Hoti: Në ShBA shkojë si shef i grupit parlamentar të LDK-së
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë me dije se do të niset sot për në Amerikë, ku do të marrë pjesë në Forumin e lidershipit parlamentar, i cili është organizuar nga Kongresi amerikan.
Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkuar se nuk është pjesë e asnjë delegacioni nga Kosova, i cili do të merr pjesë në këtë forum.
Dje mediet kanë raportuar se Hoti së bashku me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe deputeten Mimoza Kusari-Lila do të jenë pjesë e delegacionit nga Kosova që do të marrin pjesë në forumin i cili organizohet nga Kongresi.
“Me ftesë të Kongresit, sot po udhëtoj për në ShBA. Jam i ftuar si anëtar i Kuvendit të Kosovës, pasi e udhëheq grupin kryesor opozitar, për të marrë pjesë në Forumin e Lidershipit Parlamentar që organizohet nga Kongresi. Forumi mbledh liderët e grupeve kryesore parlamentare të 16 vendeve, të cilët lider janë përgjegjës për: (i) funksionimin e legjislativit, (ii) marrëdhëniet ndërpartiake brenda legjislativit, (iii) ndërlidhjen e legjislativit me ekzekutivin dhe (iv) relacionet e legjislativit me komunitetin ndërkombëtar”.
“Unë nuk jam pjesë e delegacionit të askujt, siç është raportuar mbrëmë në ‘RTK’. Në këtë forum, unë e përfaqësojë grupin parlamentar të LDK-së që është grupi përcaktues i zhvillimeve në Kuvend. E lus redaksinë e ‘RTK’-së ta përmirësojë këtë lajm. Nëse zyra e kryetarit të Kuvendit e ka lëshuar një deklaratë të tillë, atëherë deklarata duhet të përmirësohet”, ka shkruar Hoti.
/Epoka e re/