
Hoti: Në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar takime të nivelit të lartë në Uashington, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, disa ditë para se të mbahen bisedimet me delegacionin serb në Shtëpinë e Bardhë.
Ai ka theksuar se në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë çuar në liri, pavarësi dhe integrim euroatlantik të shtetit të Kosovës.
“Në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë quar në liri, pavarësi dhe integrim euroatlantik të shtetit të Kosovës. Nuk do të jetë ndryshe edhe këtë herë”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Delegacioni i Kosovës në Washington do të ketë takime në Shtëpinë e Bardhë, me Sekretarin e Shtetit Pompeo, me zyrtarë të MCC-së, të DFC-së, me përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, me rrjetin e bizneseve të mërgatës në SHBA etj.
Në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë quar në liri, pavarësi dhe integrim euro-atlantik të shtetit të Kosovës. Nuk do të jetë ndryshe edhe këtë herë.
Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, por që ndikojnë në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun regjional dhe evropian.
(Q.R / Epoka e re)