Hoti me ambasadorët e BE-së: Karakteri unitar i Kosovës është i panegociueshëm
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur të enjten në takim ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në vendin tonë.
Me këtë rast, kryeministri Hoti i ka falënderuar ambasadorët e Bashkimit Evropian për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës vendet e BE-së për menaxhimin e pandemisë Covid-19, si dhe i ka njoftuar ata për masat që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës në rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e shkaktuara si pasojë e kësaj pandemie, raporton “Epoka e re”.
Po ashtu, kryeministri Hoti ka shpalosur platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë.
Ai ka theksuar se parimet mbi të cilat do ta vendosim këtë proces janë integriteti territorial i Kosovës, që, siç ka thënë ai është i panegociueshëm, karakteri unitar i shtetit të Kosovës, ndërsa marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka strukturuar qasjen në këtë proces të dialogut duke e formalizuar mënyrën se si duhet të zhvillohet ai, por që objektiv kryesor në gjithë këtë proces është njohja reciproke në mes dy vendeve.