Hoti: Në tri vitet e fundit ka përkeqësim të paprecedent të strukturës së buxhetit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se në tri vitet e fundit ka përkeqësim të paprecedent të strukturës së buxhetit, ndërsa ka theksuar se “kjo politike buxhetore nuk siguron zhvillim”.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe trefish më shumë po shpenzohet në subvencione-transfere se sa në ndërtimin e rrugëve, shkollave, spitaleve apo në pajisje të ushtrisë e policisë.
“Përkeqësim i paprecedent i strukturës së buxhetit në tri vitet e fundit: Trefish më shumë shpenzohet në subvencione-transfere se në ndërtimin e rrugëve, shkollave, spitaleve apo në pajisje të ushtrisë e policisë. Kjo politikë buxhetore nuk siguron zhvillim. As varfëria nuk eliminohet kështu. Ajo mund të zbutet përkohësisht me subvencione, por eliminohet vetëm me zhvillim. Më tepër është investuar në 2 vite e 9 muaj të Qeverinë Mustafa (979 milionë euro shpenzimet kapitale në nivelin qendror), se në Qeverinë aktuale që është në vitin e katërt të mandatit (910 milionë euro shpenzimet kapitale në nivelin qendror). Për më tepër, në Qeverinë Mustafa 20 për qind e buxhetit është dedikuar për shpenzime kapitale të nivelit qendror. Ndërkaq, në Qeverinë aktuale, shpenzimet kapitale të nivelit qendror kanë rënë në 12 për qind të buxhetit”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.