Hoti: Në vitin 2022 importi i naftës u ul për 6.39%, ndërsa të hyrat u rriten për 283 milionë euro
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë në lidhje me çmimin dhe importin e naftës gjatë vitit 2022.
Hoti tha se krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 sasia e importuar e naftës është ulur me 6.39%, ndërsa të hyrat buxhetore janë rritur për 88% ose 283 milionë euro.
“Sikur të ulej TVSh-ja në 8% siç patëm propozuar, këto 283 mil euro do të ishin në buxhetin e familjeve, e jo në llogarinë bankare të qeverise ku po i zhvlerëson inflacioni. Këta as nuk i shpenzojnë vetë mjetet e mbledhura nga tatimet, e as nuk ua lënë qytetarëve t’i shpenzojnë aty ku kanë nevojë. [të dhënat nga Instituti GAP, të cilin e përgëzoj për analizat e vazhdueshme me shumë interes për politikëbërje]”, ka thënë Hoti.
Kujtojmë se deputetët e LDK-së, vitin e kaluar i kanë propozuar qeverisë që TVSH-ja për naftën të ulët në 8%, por një gjë e tillë ishte refuzuar nga qeveria.