Hoti: Nëse vazhdon ky ritëm, do t’i kthejmë masat e izolimit total

28 qershor 2020 | 14:17

Kryeministri Avdullah Hoti ka vlerësuar se raste me Covid-19 janë duke u rritur shumë.

Ai ka paralajmëruar se nëse vazhdon ky ritëm, qeveria do të detyrohet t’i kthejë masat e izolimit total.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se me këtë ritëm të infektimeve se shpejti do të bllokohet Klinika Infektive, dhe me pas mjekët do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë.

“Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, ka shkruar Hoti.

 

Postimi i plotë i Hotit:

Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona.

Masat për tu mbrojtur janë të thjeshta: (1) maska, (2) distanca fizike dhe (3) larja e duarve. Vetëm kaq mjafton për ta ruajtur veten, fëmijët tanë, prindërit, por edhe bashkëpunëtorët në vendin e punës, bashkudhëtarët në autobus e taksi, apo personin ngjitur në tavolinën tjetër në restorant.

Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP e kanë përgatitur manualin për masat për mbrojtje nga COVID-19, i cili është i obligueshëm. Është përgjegjësi e udhëheqësit të institucionit publik (ministri, komuna, ndërmarrje publike, agjenci etj.) dhe e pronarit të biznesit (në prodhim, restorant, shërbime, transport etj.) të sigurohen se janë marrë masat sipas këtij manuali.

Mos përmbushja e këtyre masave rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, është e dënueshme. Nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel këto rregulla. Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate.

 

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duket se largimi i Gianluigi Buffon nga PSG-ja, ka lënë…