Hoti nga Ministria e Shëndetësisë: Nuk ka ligj në Kosovë që detyron vaksinimin
Nga nesër në Kosovë pritet të hyjnë në fuqi masa të reja për luftimin e pandemisë së coronavirusit.
Në këto masa në shumë sektorë pritet të bëhet e obligueshme certifikata e vaksinimit ose si alternativë e saj testi për coronavirus jo më i vjetër se 48 orë.
Pavarësisht kësaj, udhëheqësi i divizionit për media në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se vaksinimi nuk është i detyrueshëm në Kosovë.
“Realisht procesi i vaksinimit nuk është proces i detyrueshëm në vendin tonë. Këtë nuk e bënë detyrim as ligji për parandalimin dhe luftimin e COVID-19”, tha ai n RTV Dukagjini.
Hoti thotë se megjithatë situate epidemiologjike i imponon disa kufizime dhe detyrime përfshirë edhe vaksinën.
“Në një far forme tash qasja në veprimtari të ndryshme është e kushtëzuar me kartelën e vaksinimet. Pra qytetarët që janë të vaksinuar kanë lehtësira në shërbime publike, vendet e punës apo procesin edukativo-arsimor dhe me aktin e tyre i nxisin edhe të rinjtë të vaksinohen”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Hoti thotë se shumë shpejt do të merret një vendim edhe për vaksinimin e fëmijëve 12-15 vjeçare.
Ai thotë se ka pasur thirrje të shumta në Ministri nga prindërit për të pyetur për vaksinimin e fëmijëve.
“Mirëpo nuk na ka pëlqyer pasi qëllimi kryesor i këtyre thirrjeve ka qenë se atyre u janë dashur vaksinat për udhëtim apo viza. Vaksina së pari duhet të jetë për shëndet e më pas për udhëtim apo diçka tjetër”.
Hoti tha se megjithatë edhe vaksinimi i kësaj grupmoshe nuk do të bëhet me detyrim.