![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/11/hoti-9.jpg)
Hoti ngushëllon familjen e gazetarit të ndjerë Bedri Sadiku
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti përmes një telegrami ka ngushëlluar familjen e gazetarit tashmë të ndjerë Bedri Sadiku.
“E nderuara familje Sadiku,
I nderuar komunitet i gazetarëve,
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit, Bedri Sadiku, i cili me punën e tij të palodhshme për dekada me radhë, njoftoi opinionin për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve.
Puna dhe angazhimi i tij në gazetën Rilindja në Prishtinë gjatë viteve të ‘80-ta dhe pastaj gjatë viteve të ‘90-ta në Tiranë dhe Shkup, ishte kontribut i çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe çështjen kombëtare shqiptare. Ikja në amshim e doajenit të gazetarisë kosovare Bedri Sadiku, është humbje e madhe jo vetëm për familjen por edhe për miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.
E nderuara familje Sadiku dhe gjithë komuniteti i gazetarëve, pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, thuhet në telegramin ngushëllues të kryeministrit Hoti.