Hoti njoftoi përfaqësuesit e FMN-së për zhvillimet ekonomike në Kosovë
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka pritur në takim shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Stephanie Eble, të cilën e ka njoftuar për zhvillimet ekonomike dhe politike në vend.
“Gjatë takimit z. Hoti, informoi përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për zhvillimet ekonomike dhe politike në vend. Po ashtu, temë bisede ishte edhe stabiliteti fiskal i vendit si dhe buxheti për vitin 2019. Me këtë rast z. Hoti ngriti shqetësimet e tij dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me shpenzimet e parasë publike nga ana e Qeverisë pa përfillur asnjë kriter ligjor, si dhe për stagnimin e reformave ekonomike dhe të skemave sociale. Hoti gjithashtu siguroi znj. Eble se si Grup Parlamentar do të kujdesen për stabilitetin financiar të Kosovës”, është thënë në njoftimin e LDK-së.
Ndërsa Stephanie Eble, sipas këtij njoftimi ka vlerësuar lart përkushtimin e Hoti së bashku me anëtarët e tjerë të Grupit Parlamentar të LDK- së për punën në përmirësimin e kushteve ekonomike ne vend si dhe për politika konstruktive karshi partnerëve ndërkombëtarë, posaçërisht karshi FMN-së.
/Epoka e re/