Hoti njofton ambasadorin italian për prioritetet e qeverisë së re
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.
Gjatë këtij takimi, kryeministri Hoti ka falënderuar ambasadorin Orlando për mbështetjen e përhershme të Italisë për Kosovën duke pohuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të punuar ngushtë me Italinë edhe në të ardhmen.
Hoti ka njoftuar ambasadorin Orlando për prioritetet e qeverisë së re të Kosovës, ndër të cilat veçoi luftën kundër pandemisë Covid-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
Po ashtu, ai tha se Qeveria e Kosovës është tërësisht e përkushtuar për forcimin e shtetit ligjor, avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit, rritjen e punësimit, zhvillimin e tregut të lirë etj.
Ndërsa, Ambasadori Orlando, duke e uruar Kryeministrin Hoti për detyrën e re. Ai ka deklaruar se Italia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në luftimin e pandemisë Covid -19, si dhe në përpjekjet e saj për t’i përmirësuar marrëdhëniet rajonale, mbështetjen e zhvillimit ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
(M.K /Epoka e re)