
Hoti: Nuk ka hapësirë bashkëpunimi në mes LDK-së dhe LV-së, dallimet tona u vërtetuan në vitin 2020
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti mendon se nuk ka asnjë hapësirë bashkëpunim në mes të LDK-së dhe LV-së.
Ai ka bërë me dije se këto dy subjekte politike kanë dallime fundamentale.
Në një intervistë për gazetën “Nacionale”, Hoti ka thënë se dallimet në mes të këtyre subjekteve politike janë vërtetuar në vitin 2020, kur LDK-ja është dashur të largohet nga koalicioni qeverisës me partin e Albin Kurtit.
“Nuk besoj se ka hapësirë për bashkëpunim mes LDK-së dhe LVV-së pasi dallojmë në fundament në qasjet që kemi sa i përket zhvillimit ekonomik, partneritetit me aleatët, respektimit të rendit kushtetues, respektimit të lirisë së mediave, dialogut e çështje të tjera. Këto dallime janë vërtetuar edhe në koalicionin e shkurtë që kishim në pjesën e parë të vitit 2020, kur u detyruam të dalim nga ai koalicion. Atëherë u kritikuam shumë, por pas katër vitesh janë provuar të vërteta të gjitha arsyet për të cilat ne dolëm nga ai koalicion me LV-në”, ka thënë Hoti.