Hoti: Nuk pranojmë asnjë koncesion për demarkacionin
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka komentuar vizitën e zyrtarit të lartë amerikan në Kosovë.
Ai ka thënë se LDK-ja e vlerëson lartë këtë qëndrim dhe rolin vendimtar të ShBA-së në momentet më të rëndësishme të çlirimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Në këtë kontekst, Hoti ka thënë se LDK-ja pret nga koalicioni qeverisës që t’i sigurojë votat për demarkacionin.
“Ndihmëssekretari i Shtetit të ShBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, konfirmoi edhe një herë qëndrimin e palëkundur të ShBA-së për Kosovën. LDK-ja e vlerëson lartë këtë qëndrim dhe rolin vendimtar të ShBA-së në momentet më të rëndësishme të çlirimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.
LDK-ja mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një Kosove demokratike, që është në fqinjësi të mirë me shtetet në rajon, e integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në”.
“Ne presim që koalicioni qeverisës të sigurojë votat e nevojshme për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit, që i hap rrugë liberalizimit të vizave. Ne paralajmërojë koalicionin qeverisës se nuk do të pranojmë asnjë lloj koncesioni që mund të arrijnë me partnerin e tyre qeverisës Lista Serbe për të siguruar mbështetjen për votimin e demarkacionit. Nuk pranojmë asnjë koncesion që shkon në dëm të interesave të vendit”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.