Hoti numëron dështimet e qeverisë Kurti
Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka numëruar premtimet e qeverisë Kurti, të cilat sipas tij do të duheshin të realizoheshin.
Hoti në “Facebook” ka numëruar çerdhet, banesat për çifte dhe njohjet e Kosovës si premtime të paralizuara nga qeveria Kurti.
Ndërsa ato që e karakterizojnë këtë qeveri, Hoti ka thënë se janë migrimi i madh i rinisë, problemet në veri, dialogu pa krye, etj.
Postimi i plotë i Hotit:
Sot, pas dy vitesh qeverisje, do të duhej:
– lehtësisht të identifikoheshin projektet investive (së paku të nisura) dhe vendet e krijuara të punës,
– të numëroheshin çerdhet e ndërtuara,
– të numëroheshin banesat e ndërtuara për familjet e reja,
– të vëreheshin reformat në arsim e shëndetësi,
– të niste punën Fondi Sovran me pasuritë e AKP-së,
– të jepeshin kredi me norma të ulëta nga Banka Zhvillimore,
– të numëroheshin njohjet e reja të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë.
JO, asnjëra nga këto nuk shihet as në horizont. Dy vite të qeverisjes, karakterizohen me:
– numrin e madh të rinisë që kanë emigruar,
– probleme në veri,
– kaos në energjetikë,
– mungesë e barnave dhe emigrim i mjekëve,
– valë të njëpasnjëshme të privatizimit të aseteve të AKP-së,
– ulje e pagave reale,
– mungesë e investimeve kapitale,
– rritje e deficitit tregtar me 1 miliard euro,
– kthim i Serbisë në partner kryesor tregtar në rajon me 371 milionë euro import,
– futja e dialogut në udhë pa krye,
– acarimi i marrëdhënieve me miqtë,
– protesta të sindikatave dhe ditë të humbura të mësimit.