Hoti: Oponentët e LDK-së penguan proceset më të rëndësishme të Kosovës për 30 vjet
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë të martën në tubimin zgjedhor në Malishevë se kundërshtarët e LDK-së në këtë proces zgjedhor janë njerëzit që i kanë kundërshtuar vazhdimisht proceset e rëndësishme që ka kaluar Kosova në 30 vitet e fundit.
“Këta që i kemi në garë nuk janë të sotëm, i kemi pas pengesë në rrugën e shtetndërtimit qe 30 vjet, kanë qenë pakicë që nga kanë bërë pengesa në procesin e shtetndërtimit. Disa që këta të majtit i kanë idol, bënin thirrje që për të dalë në zgjedhjet e Serbisë. Janë vra njerëz për ta kundërshtuar Planin e Ahtisarit, njëjtë na e kanë bërë edhe për marrëveshjen e Uashingtonit, veç s’kanë pasur guxim me na sjell dhunë siç bënë për çështjen e kauzës së rreme të demarkacionit. Marrëveshja e Uashingtonit e fuqizon shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Hoti.
Ai u shpreh i bindur se qytetarët e Kosovës do ta vlerësojnë punën e LDK-së më datën 14 shkurt.