Hoti: Osmani dhe Kurti e kanë kthyer Kosovën në një çështje të sigurisë për aleatët

23 gusht 2024 | 15:25

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj vizitës së shefi të CIA-s, William Burns, në Kosovë.

Ai ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për përplasje me aleatët.

Me veprimet e tyre, sipas Hotit, Osmani dhe Kurti e kanë kthyer Kosovën në një çështje të sigurisë për aleatët.

“Nga shpallja e pavarësisë, kemi punuar shumë qeveri pas qeverie për ta hequr Kosovën nga lista e vendeve me probleme të sigurisë. Në bashkëpunim të ngushtë me aleatët, janë marrë vendime të vështira dhe jopopullore, por që e përafronin Kosovën me perëndimin. Merrnim njohje të reja, anëtarësoheshim në mekanizma ndërkombëtarë, bëheshim pjesë e iniciativave rajonale e ndërkombëtare, duke e betonuar hap pas hapi të ardhmen euro-atlantike të Kosovës. Stabiliteti politik, integrimi i brendshëm i komuniteteve, normalizimi i marrëdhënieve rajonale e veprime të tjera i siguronin Kosovës zhvillim ekonomik e progres në rrugën e integrimit euro-atlantik. Rrjedhimisht, arritëm që Kosovës ta hiqnim nga lista e vendeve me probleme të sigurisë dhe ta vendosim në listën e vendeve me sfida për zhvillim ekonomik e për anëtarësim në BE dhe NATO. Jam i bindur se kjo ka qenë politika më e mençur për integrimin euro-atlantik të Kosovës”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Ai ka thënë se shefi i CIA-s do të duhej të zbarkonte në Serbi e Bosnje, dhe jo në Kosovë.

Sipas Hotit, Osmani dhe Kurti me veprimet e tyre e detyruan drejtorin e CIA-s të zbarkonte në Kosovë.

“Për fat të keq të popullit të Kosovës, dogmat politike të Kurtit e Osmanit dhe konfrontimi i tyre me aleatët-garantuesit e sovranitetit të Kosovës për rendin e veprimeve në veri e kthyen Kosovën në çështje të sigurisë për NATO-n dhe BE-në, si dhe për aleatin kryesor të Kosovës, ShBA-në. Sigurisht se këtë situatë e përdori Serbia me tendencë për të krijuar një vatër të re krize në Evropë, siç dëshmohet me sulmin terrorist të 25 shtatorit 2023. Rrjedhimisht, shefi i CIA-s detyrohet të zbarkojë në Prishtinë. Ai do të duhej të zbarkonte në Bosnjë dhe Serbi, por jo në Kosovë. Kosova do të duhej të kryente të gjitha koordinimet me ShBA-në siç ka vepruar gjithmonë, përmes Ambasadorit në Prishtinë, me Departamentin e Shtetit e me Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Hoti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu ka shkruar sot lidhur me…