Hoti: Osmani po qëndron krah pushtetit në shkatërrimin e marrëdhënieve me ShBA-në
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani, e cila sipas tij është duke qëndruar në krah pushtetit “në shkatërrimin e marrëdhënieve” në mes të Kosovës dhe ShBA-së.
Ai ka thënë se Kosova si republikë parlamentare e ka postin e presidentit pikërisht për këto raste.
“Shefja e shtetit po qëndron krah pushtetit në shkatërrimin e marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me aleatin kryesor që garanton sigurinë e shtetit të Kosovës, ShBA-në. Si çdo republikë parlamentare, edhe Kosova e ka Presidentin posaçërisht për raste të tilla – për të mbajtur balancet institucionale dhe për t’ia pamundësuar mazhorancës veprimet që dëmtojnë interesat shtetërore duke ndjekur interesat e tyre elektorale”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Po ashtu, Hoti, ka kritikuar kritikoi presidenten Osmani për heshtjen karshi përjashtimit të Kosovës nga “Defender Europe 2023”.
“Komandantja Supreme e Forcave të Armatosura asnjë fjalë s’e nxjerr nga goja për përjashtimin e ushtrisë të cilën e komandon, nga ushtrimi më i madh që është mbajtur ndonjëherë në rajon – ‘Defender 2023’”, ka shkruar Hoti.