Hoti: Pakoja për përballje me inflacionin është e vonuar dhe joadekuate

10 shtator 2022 | 14:09

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se pakoja për përballje me inflacionin është e vonuar dhe joadekuate.

Sipas tij, zgjidhja mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve për normën e inflacionit.

“Pakoja për përballje me inflacionin që u propozuar nga Qeveria, e cila parasheh mbështetje të njëhershme për familje, do të kishte kuptim në kohën e pandemisë, kur familjet kishin nevojë për mbështetje të njëhershme për të përballuar rënien e të ardhurave gjatë muajve të mbylljes totale”.

“Tani është e qartë se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe për disa muaj. Me gjasë, pas një kohe çmimet do të stabilizohen në nivele të larta. Prandaj, rënia e fuqisë blerëse e të ardhurave të familjeve nuk është e përkohshme dhe, rrjedhimisht, nuk mund të zgjidhet me masa të njëhershme. Masat duhet të jenë sistematike dhe afatgjata”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka theksuar se zgjidhje e qëndrueshme, edhe pse jo perfekte, mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve sipas normë së inflacionit.

“Vetëm kështu do të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave. Vetëm kështu parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës”.

“Kjo zgjidhje do të ishte lehtësisht e realizueshme në sektorin publik. Për më tepër, kjo nuk do të ngarkonte shumë buxhetin e shtetit, pasi të hyrat tatimore janë rritur proporcionalisht me rritjen e inflacionit”, ka shkruar Hoti.

Ndërkaq, për sektorin privat, sipas tij, do të duhej të rritej paga minimale me vendim të Qeverisë për t’u reflektuar në rritjen e pagave të kategorive më të ndjeshme të punëtorëve që kanë paga të ulëta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i klerikëve fetarë nga Kosova kanë hyrë në…