Hoti para deputetëve: Tani kemi mbështetje nga të gjithë për cakun e dialogut

24 korrik 2020 | 13:30

Kryeministri Avdullah Hoti sot ka informuar Kuvendin e Kosovës për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se detyrimi i tij për ta përfaqësuar Kosovën në dialog buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Hoti ka thënë se pas 20 muajsh ka filluar procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke dhe normalizim të raporteve.

“Dua ta konfirmoj edhe njëherë që për Qeverinë e Kosovës dhe për mua si kryeministër, nuk ka dhe nuk do të ketë dialog teknik. Të gjitha takimet në ditët në vijim do të jenë vetëm për draftimin e marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, është shprehur ai.

Ai u ka thënë deputetëve se do t’i mbajë të informuar gjithë kohën për zhvillimet në këtë proces dhe do të jetë llogaridhënës para tyre.

“Por, unë nuk do të rri duarkryq, dhe as nuk do të qahem para jush duke u ankuar për teori konspirative me harta e thika, apo me komplote për ndarje territoriale. Unë do të ushtroj autorizimet e mia kushtetuese, pa interferim nga askush”, ka deklaruar kryeministri Hoti.

Ai ka shtuar se për Qeverinë e Kosovës, dialogu nuk ka alternativë. Sipas Hotit, destinacioni i Kosovës është integrimi i plotë euro-atlantik.

“Me mbështetjen e miqve, ne do të arrijmë qëllimin tonë, sepse është në interes të Kosovës, në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe në interes të BE-së dhe SHBA-së. Gjatë këtij procesi të vështirë, ne besojmë në miqtë tanë, siç kemi besuar kur ata e mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Kohëve të fundit, në skenën politike po dëgjohen zëra që po vënë në pikëpyetje pozicionin e shtetit të Kosovës karshi këtij procesi. Ju them me bindje se askush nuk duhet të trazohet nga normaliteti që e po ndërtojmë, sepse është në të mirën e të gjithëve”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se për vetëm një muaj, rikthyen Kosovën aty ku e ka vendin, krah miqve tanë. “Nga një raport i lënduar me BE dhe SHBA, tani kemi mbështetje nga të gjithë për cakun e dialogut, që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve”, ka deklaruar Hoti.

“Për vetëm një muaj, ne hoqëm nga çdo diskutim temën e integritetit territorial të Kosovës, të cilën më nuk e përmend kush. Askush nuk përmend më harta e gërshërë, thika, gjak, shampanjë, konflikt i ngrirë apo eksperimente të ngjashme nëpër botë. Për kaq pak kohë, ne thyem izolimin politik dhe diplomatik. Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog. Këtë e bëmë pa hezit, pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë”, ka thënë kryeministri Hoti.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në…