![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/10/hoti-3.jpg)
Hoti për bojkotin e pushtetit: Cenim i rendit kushtetues
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se është cenuar demokracia parlamentare në Kosovë.
Ai ka përmendur tri instrumente që opozita i ka në dorë dhe sipas tij që të trija po cenohet drejtpërdrejtë nga vendimet e shumicës.
“Situata e sotme ka kulmuar me një pozicion që besoj që cenohet demokracia parlamentare në Kosovë. Janë tri instrumente që i ka opozita në dorë: seanca e jashtëzakonshme, komisionet parlamentare dhe pyetjet parlamentare të deputetëve. Të tria këto, në dy javët e fundit janë cenuar drejtpërdrejtë me vendime të shumicës. Pak ju mbaj përgjegjës juve (Konjufcën) dhe kryesinë e Kuvendit, ju duhet të uleni të diskutoni këtë situatë, kjo është e patolerueshme. Nuk është veprim i thjeshtë parlamentar mosprezenca e mazhorancës sot këtu ose veprim i thjeshtë i kryeministrit mos e u përgjigj në pyetjet parlamentare, ose pamundësimi i konstituimit të komisionit hetimor. Ky është cenim i rendit kushtetues”, ka thënë ai.
Hoti ka vlerësuar se Konjufca duhet t’i japë rrugë kësaj çështje ose të shpërbëhet Kuvendi.