Hoti: Për disa javë presim arritjen e vaksinave anti-Covid
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e Komitetit për vlerësimin e situatës me Covid-19, ka përgëzuar punën e këtij komiteti duke thënë se kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.
Hoti tha se presin që për disa javë të arrijnë edhe vaksinat dhe të fillojë procesi i vaksinimit të qytetarëve.
“Jemi në fazën finale të kësaj pandemie, për disa javë presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv. Informatat që mora dje nga ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i IKSHPK-së, janë shumë inkurajuese edhe për përgatitjet teknike”, tha Hoti.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Hoti falënderoi të gjithë për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë pandemisë dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në çfarëdo formë në këtë pandemi, derisa ka shprehur edhe ngushëllime për të gjithë ato familje që kanë humbur më të dashurit e tyre si pasojë e Covid-19.
Më tej, kryeministri Hoti tha se beson që masat që i kanë dizajnuar bashkë në këtë Komitet e kanë mundësuar funksionimin dhe mos mbylljen e plotë të ekonomisë, mbajtjen gjallë të aktivitetit ekonomik, në mënyrë që familjet dhe bizneset të tejkalojnë këtë situatë.