Hoti për ndarjen e 11 milionë eurove për zbutjen e ndikimit të krizës energjetike: Shkojnë te KEDS-i dhe bizneset tjera
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se 11 milionë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës për familjet për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike, shkojnë tek KEDS-i.
Hoti ka kritikuar këtë vendim, duke thënë se nuk është politikë dhe se mjetet e ndara nuk qëndrojnë tek familjet por transferohen te KEDS-i dhe bizneset e tjera.
“Në vend se të ndërmarrë masa për parandalimin e rritjes së faturave të energjisë elektrike për familjet, siç ndodhi në dhjetor kur për shumë familje faturat u frynë tepër shumë, Qeveria ndan 11 milionë euro për familjet për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike.”
“Kjo nuk është politikë. Këto mjete nuk qëndrojnë tek familjet. Me këtë veprim, paratë transferohen nga buxheti i shtetit tek KEDS-i dhe bizneset e tjera përmes familjeve”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Më tutje, Hoti ka propozuar që të ulet çmimi i rrymës si një veprim i duhur në këtë rast.
“Ulja e çmimit të energjisë elektrike do ishte veprimi i duhur në këtë rast, pasi çmimi i energjisë në tregje ndërkombëtare ka rënë dukshëm krahasuar me vitin e kaluar”, ka shkruar Hotit.