Hoti për qeveritarët: Zoti na ruajt se nuk dinë çfarë bëjnë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar serish për situatën e tensionuar në veri të vendit.
Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Hoti ka thënë se pushtetarët nuk janë duke e ditur se çfarë janë duke bërë.
“Ushtarët amerikan janë çdo ditë në veri, si pjesë e KFOR-it, duke e siguruar paqen. Para një kohe, vetë kreu i qeverisë kishte deklaruar se ambasadori amerikan e kishte informuar për gjëra lidhur me zhvillimet në veri që ai nuk i kishte ditur, edhe pse AKI-ja është në teren dhe e ka për detyrë të kuptojë se çfarë ndodh e çfarë pritet. Ndërsa pushtetarët e Kosovës në sinkron replikojnë me Sekretarin Blinken se ai është naiv e nuk është i informuar për kontekstin politik në veri. Zoti na ruajt, se këta nuk dinë çfarë bëjnë”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.