Hoti për vendimin e Apelit: Duhet të krijohet qartësia se si të kompensohen qytetarët për rrymën
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është e rëndësishme që të krijohet një qartësi juridike që mundëson kompensimin e qytetarëve për pagesat me rritje të faturave të energjisë elektrike.
Kjo deklaratë e Hoti ka ardhur pasi Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Themelores se ZRrE-ja ka bërë shkelje me shtrenjtimin e faturave të energjisë.
“Gjykata e Apelit vërteton vendimin e Themelores – anulohen tarifat e rritura të energjisë elektrike. Tani është me rëndësi që institucionet përkatëse të krijojnë qartësi juridike se si do të kompensohen qytetarët për pagesat me rritje të faturave të energjisë. ZRrE-ja duhet të marrë vendimet e nevojshme për mënyrën se si do të kompensohen qytetarët. Sikur të përfilleshin propozimet që i kemi dhënë me kohë, nuk do të vinim në këtë situatë. Për kostot e shkaktuara ndaj mijëra familjeve duhet të ketë përgjegjësi politike”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.