Hoti përfundon takimin me kryetarët e partive politike: Jemi gati për dialog

18 qershor 2020 | 12:38

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, pas përfundimit të takimit me liderët e partive politike, ku është diskutuar për platformën e qeverisë për dialogun me Serbinë, ka thënë se Kosova është gati për këtë proces.

Hoti ka falënderuar liderët e partive politike, të gjithë pa përjashtim, që sipas tij, i kanë dhënë mbështetje këtij procesi.

“Jam i inkurajuar me këtë mbështetje. Ne jemi gati të ulemi në tavolinë të dialogut, me një qellim të vetëm për marrëveshjen përfundimtare që nënkupton njohje. Ne shkojmë me besim të plotë në këtë takim”, është shprehur Hoti, raporton “Epoka e re”.

Ai ka bërë me dije se për dy javë rresht ka pasur takime intensive me ambasadorët e Quint-it, akademikët dhe shoqërinë civile.

Kryeministri Hoti ka thënë se javën e ardhshme do të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës për këtë proces. “Së shpejti do të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës për platformën, besoj të martën e ardhshme. Do të kërkohet themelimi i komisionit parlamentar, i cili do ta mbikëqyr dialogun” ka theksuar Hoti.

Hoti u ka bërë thirrje edhe liderëve të opozitës që të jenë pjesë e këtij procesi, madje ai ka thënë se është i gatshëm që kudo që ata mendojnë për të organizuar një takim të tillë, si kryeministër ai do t’i përgjigjet liderëve të opozitës.

“Ftesa ka qenë si kryeministër i vendit në bazë të mandatit kushtetues. Do t’ju çojë ftesa në vendin ku ata dëshirojnë”, ka thënë kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti ka siguruar qytetarët për transparencë të plotë në këtë proces.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, që funksionon në kuadër të…