Hoti: Përherë mirënjohës ndaj delegatëve të cilët miratuan Kushtetutën e Kaçanikut
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se u është mirënjohës ish-delegatëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët më 7 shtator të vitit 1990 kishin miratuar Kushtetutën e Kaçanikut.
Hoti ka thënë së Kushtetuta e Kaçanikut dhe Deklarata Kushtetuese kanë vënë themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.
“Tri dekada nga miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut. Më 7 shtator të vitit 1990, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, akt ky që erdhi si rezultat i shpalljes se Deklaratës kushtetuese të 2 korrikut të po atij viti. Këto dy akte dhe sakrifica e pamohueshme e popullit shqiptarë për liri dhe pavarësi, i vunë themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.
Megjithëse nën presionin dhe kërcënimin e tytave të armëve, Kushtetuta e Kaçanikut u votua me shumicë votash nga delegatët e Kuvendit të Kosovës, ndaj të cilëve jemi përherë mirënjohës”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.