Hoti përplaset me Muratin për buxhetin e FSK-së, thotë se kjo qeveri po mashtron

30 qershor 2023 | 09:54

Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, e ka kritikuar Qeverinë Kurti për buxhetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Hoti në Facebook ka shkruar se me qeverinë Kurti nuk ngriten kapacitetet e FSK-së, në ushtri të rregullt sipas standardeve të NATO-s.

“Shpenzimet për mbrojtje si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) janë dukshëm nën nivelin e kërkuar nga NATO-ja prej 2% Këto shpenzimet në vitin 2022 ishin 1.53%, ndërkaq më 2023 u ulën në 1.25%”, ka shkruar Hoti.

Më tej, ai ka shtuar se problemi është se, sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2024-2026, të cilën qeveria e ka dorëzuar në Kuvend, trendi i shpenzimeve për mbrojtje si përqindje e PBB-së është rënës: 1.43 % më 2024, 1.35 % më 2025, 1.27 % më 2026″.

“Për më tepër, në kapacitetet e FSK-së do të ndikojë edhe përjashtimi nga ushtrimi më i madh i NATO-s, për të cilin Presidentja, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes nuk morën asnjë përgjegjësi.
Tani edhe financimi nuk po shkon në drejtim të përmbushjes së standardit të kërkuar nga NATO-ja prej 2%”.

Sipas Hotit, qeveria Kurti është e fokusuar vetëm për mashtrimin e opinionit.

“Këta nuk janë për këtë punë. Këta nuk kanë rezon shtetëror. Këta janë të fokusuar vetëm në mashtrimin e opinionit. Ja fakti: e nxjerrin FSK-në në marshim në Mitrovicë, e në anën tjetër shpenzimet për mbrojtje i zvogëlojnë”, thotë ai.

Lidhur me këtë, ka reaguar ministri i Punës dhe Financave, Hekuran Murati.

Ai ka paraqitur një grafikë, ku shihet ndarja e buxhetit.

“Avdullah Hoti sot paska fol për buxhetin e FSK-së. Në grafikun më poshtë mund të shihet buxheti, përfshirë edhe ndarjet me vendime të Qeverisë, në raport me GDP. Avdullah Hoti ka qenë ministër i financave në periudhën 2014-2017”, thekson ai.

Murati tutje në reagim ka thënë se vitet 2021 dhe 2022 janë vitet e vetme kur FSK ka mbyllur vitin me më së shumti buxhet.

“PS. Vitet 2021 dhe 2022 janë vitet e vetme kur FSK mbyll vitin me më shumë buxhet se në fillim të vitit, si rezultat i ndarjeve shtesë nga Qeveria. Në të gjitha vitet tjera, FSK ka mbyllur vitin me më pak buxhet se që kishte në fillim, sepse me vendime të Qeverisë i shkurtohej buxheti gjatë vitit”, ka shkruar Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person ka mbetur i vrarë mbrëmë në Suharekë. Policia…