Hoti: Po krijohen situata që e rrisin rëndësinë e Rezolutës 1244
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, duke folur për situatën e fundit në veri, ka thënë se po krijohen situata që e rrisin rëndësinë e Rezolutës 1244 në menaxhim të sfidave të sigurisë në Kosovë.
“Për shkak të: (1) mungesës së rezonit shtetëror në menaxhimin e interesave shtetërore të Kosovës, (2) ndjekjes së qëllimeve të ngushta elektorale në vendime të natyrës strategjike e të sigurisë nacionale, si dhe (3) pa koordinim me aleatët në këto vendime, po krijohen situata që e rrisin rëndësinë e Rezolutës 1244 në menaxhim të sfidave të sigurisë në Kosovë”, është shprehur Hoti, duke shtuar se një gjë e tillë përbën kthim prapa për Kosovën.
“Kjo përbën kthim prapa. Në qeveritë paraprake, në pamundësi që Rezoluta 1244 të anulohet formalisht në Këshillin e Sigurisë të OKB-së, është punuar me aleatët në zbehjen totale të rëndësisë së saj. Kjo qasje ka përfshirë edhe raportimin më të rrallë në OKB dhe me përfaqësim gjithnjë e më të ulët nga ana e Kosovës. Shpresoj që këto situata të mos jenë të pakthyeshme në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, e cila duhet të kthejë menjëherë normalitetin në vend dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe të domosdoshëm me aleatët”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.