Hoti pret në takim lamtumirës ambasadorin hungarez
Kryeministri Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.
Hoti e ka falënderuar ambasadorin Markusz për punën e tij të përkushtuar në Kosovë, si dhe për përkrahjen e përhershme që Hungaria i ka dhënë vendit tonë.
Gjatë këtij takimi, Hoti e ka njoftuar ambasadorin hungarez për prioritet e Qeverisë së Kosovës dhe për hapat që po ndërmerren për menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.
Po ashtu, Hoti ka potencuar se Kosova dhe Hungaria i kanë të gjithë mundësitë që ta intensifikojnë bashkëpunimin në mes të dyja vendeve, sidomos në sektorin ekonomik, në infrastrukturë, në arsim etj, raporton “Epoka e re”.
Duke i uruar ambasadorit Markusz suksese në detyrat e tij të ardhshme, Hoti ka thënë se institucionet dhe qytetarët e Kosovës, dhe ai personalisht, e vlerësojnë lart punën e ambasadorit hungarez gjatë mandatit të tij në Kosovë.
Ndërsa ambasadori Markusz, pasi e ka falënderuar kryeministrin Hoti për këtë takim lamtumirës dhe për bashkëpunimin e mirë me Qeverinë e Kosovës, shprehu bindjen se marrëdhëniet në mes Hungarisë dhe Kosovës do të thellohen edhe më tej.
“Për Hungarinë, Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht e kulturalisht janë pjesë e Evropës, ndaj ne vlerësojmë se e ardhmja juaj e përbashkët është në Bashkimin Evropian”, ka thënë ambasadori Markusz.