Hoti prezanton fakte për abuzim me subvencione nga Zyra e Kryeministrit
Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, ka prezantuar disa fakte për të cilat beson se Zyra e Kryeministrit ka abuzuar me subvencione.
Ai nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”, ka thënë se mjetet për ndara nga Zyra e kryeministrit janë bërë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Postimi i plotë i Hotit:
Fakte për abuzim me subvencione nga Zyra e Kryeministrit bazuar në Raportin e Auditorit për 2018
1. Janë ndarë 815 mijë euro për një OJQ në kundërshtim me Rregulloren 04/2017, e cila rregullore i përcakton procedurat dhe kriteret për ndarjen e subvencioneve për OJQ. Për këtë OJQ janë bërë pagesa prej 806 mijë euro pa raporte përkatëse për punët e kryera. Auditori konstaton se për shkak të mungesës së raporteve, nuk mund të konstatoje për rregullsinë e këtyre pagesave.
2. E njëjta OJQ i ka marrë edhe 30 mije euro për të njëjtin projekt, nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
3. Janë ndarë 315 mijë euro për persona fizik nga Zyra për Çështje të Komuniteteve pa procedura dhe pa aprovim të komisionit. Në disa raste janë ndarë mjete për zbukurim të shtëpive, si roleta të dritareve dhe fasadë.
3. Mijëra euro ndahen nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Kulturës dhe Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini e Sport, për të njëjtat projekte dhe për të njëjtat OJQ.
Kur i sheh si janë përdorur subvencionet nga kryeministri del në pah arsyeja pse është trefishuar buxheti për subvencione i kryeministrit nga 1.3 milion euro me 2017, në 3.6 milionë euro me 2018.
Te gjitha këto i gjeni në Raportin e Auditorit për 2018 për Zyrën e Kryeministrit. Ky raport do të diskutohet në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe eventualisht në seancë. Llogaridhënie do të ketë.