Hoti priti në takim ambasadorët e shteteve të Quint-it
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ditës ka pritur në takim ambasadorët e shteteve të Quint-it, me të cilët ka biseduar rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në vend.
Në këtë takim, në të cilën e pranishme ishte edhe Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kryeministri Hoti i njoftoi ambasadorët për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, angazhimin maksimal për rimëkëmbjen ekonomike, luftën kundër pandemisë Covid-19, si dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në rifillimin e procesit të dialogut në funksion të stabilitetit rajonal dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore.
Kryeministri Hoti, vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të shteteve të Quint-it, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë shtetit të Kosovës, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe të shtetndërtimit.