Hoti priti në takim ambasadorët e shteteve të Quintit, temë diskutimi dialogu
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Koordinatori shtetëror për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, ka pritur sot në takim ambasadorët e shteteve të Quintit.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë takim është biseduar për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë në procesin e dialogut me Serbinë, i cili, siç ritheksoi kryeministri Hoti, duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve.
“Po ashtu, kryeministri Hoti i ka njoftuar ambasadorët e Quintit dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, për masat që po ndërmerr qeveria e Kosovës për parandalimin e pandemisë Covid-19 dhe për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike”, është bërë me dije në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
(M.Q / Epoka e re)